Publikohet aktakuza e plotë e ngritur ndaj Salih Mustafës

Dhomat e Specializuara të Kosovës të njohur si Gjykata Speciale përmes një komunikate për media ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e sotëm të Salih Mustafës.

Sipas njoftimit, Mustafa është transferuar në objektin e paraburgimit, në Hagë, sot.

Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor, ndërsa nuk është bërë publike në atë kohë.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, thuhet në njoftim.

Në këtë aktakuzë të konfirmuar, Mustafa akuzohet në forma të ndryshme të përgjegjësisë penale, për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime të kruera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë.

“Për arsye sigurie, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime”.

Për paraqitjen e Salih Mustafës para gjykatësit të procedurës paraprake do të njoftohet më vonë, ndërsa paraqitja e parë në seancën publike mund të ndiqet në transmetim me video përmes faqes së internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Aktakuzën mund ta gjeni KËTU.