Publiciteti i aktakuzave sipas Kodit të ri procedurës penale

Kodi i ri procedurës penale ka paraparë që aktakuza mos të jetë publike deri në fillimin e shqyrtimit fillestar në gjykatë, ku palët deklarohen për aktakuzën e prokurorit të shtetit.

Por me Kodin e ri është paraparë si mundësi që në kohën nga ngritja e aktakuzës e deri në fillimin e shqyrtimit fillestar, gjykata t’iu ofrojë personave të interesuar qasje në disa të pjesë të aktakuzës.

“Nga momenti i ngritjes së aktakuzës dhe deri në shqyrtim fillestar, gjykata sipas kërkesës së palëve mundëson qasjen në inicialet e të pandehurit, kualifikimin ligjor të veprës penale dhe përshkrim të shkurtër të dispozitivit të aktakuzës”, thuhet në nenin që rregullon këtë çështje.

Ndërsa nga momenti i fillimit të shqyrtimit fillestar në gjykatë, aktakuza është e qasshme për publikun.

Qasja në aktakuza përjashtohet në rastet e të miturve, rastet e veprave penale të kryera brenda marrëdhënies familjare dhe rastet në të cilat përfshihet integriteti seksual i viktimës apo palëve të treta.

Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të së enjtes, e ka miratuar në lexim të dytë Kodin e ri të procedurës penale.