Pse s’po realizohet kredia e zotuar për 'Trepçën', deklarohet ministri Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është deklaruar në lidhje me vendimin e Qeverisë në shkurt të këtij viti, që t’i jepte kredi ‘Trepçës’ prej 20 milionë euro, por që një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Murati ka thënë se ekipet teknike janë në negocim dhe sipas tij, së pari duhet të sigurohet kapaciteti pagues i ndërmarrjes.

“Ekipet teknike janë në negocim, kanë qenë në negocim me menaxhmentin e ‘Trepçës’, çështja është që duhet çdo herë të sigurohet sepse bëhet fjalë për kredi, pra për huadhënie, duhet të sigurohet kapaciteti pagues i ndërmarrjes, njësoj siç ka qenë edhe me Telekomin e Kosovës”- ka deklaruar ministri.

Më tej, Murati është deklaruar edhe në lidhje me grevën e minatorëve të Trepçës, për të cilën ai tha se minatorët dhe stafi duhet të jenë të gatshëm të bëjnë më të mirën e mundshme për ndërmarrjen, teksa shtoi se Ministria e Ekonomisë i ka dhënë mbështetje direkte prej 20 milionë euro “Trepçës.”

“Trepça duhet të tregojë edhe stafi edhe minatorët, duhet të tregojnë që janë të gatshëm të bëjnë më të mirën e mundshme për ndërmarrjen, pra të gjithë bashkë, në mënyrë që së bashku ta qojmë ndërmarrjen përpara”-tha Murati.

“Siç e keni parë, ministria ka tregu që deri më tani, rreth 20 milionë euro ka qenë mbështetja direkte për Trepçën, nuk është se nuk ka pasur mbështetje nga Qeveria dhe ato janë para të taksapaguesve, madje kanë qenë subvencion dhe nuk ka nevojë as të kthehen, mirëpo duhet të sigurohemi që ka një zhvillim të qëndrueshëm të ndërmarrjes, i cili arrihet vetëm kur të gjithë punojnë së bashku “- theksoi ai.

Tetë muaj më parë, në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, u mor një vendim që Ndërmarrjes Publike “Trepça” t’i ndahet një kredi prej 20 milionë eurove. Atë kohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se investime të mëdha do të ndodhin në minierat e “Trepçës”.

Janë bërë një javë nga fillimi i grevës së minatorëve të “Trepçës.”

Që kur ka nis greva e minatorëve, disa nga grevistët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Minatorët thanë se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6 – 10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bujar Jashari, ka dhënë të premten dorëheqje nga kjo pozitë, pas mbledhjes që ka pasur me Bordin Mbikëqyrës të Trepçës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Bujar Jashari, ka thënë se ka dhënë dorëheqje pasi i është kërkuar nga Bordi Mbikëqyrës.