Ura e Ibrit, Foto: KALLXO.com

Pse nuk u zbatua vendimi i prillit të vitit 2023 për hapjen e Urës së Ibrit?

Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve është e domosdoshme sepse Ura e Ibrit është e vetmja urë lidhëse mes Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut.

Kështu ka potencuar kryesesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, i cili shtoi se ura ka qenë vendi i trazirave dhe konfliktit në veri.

“Në 2023-tën, në prill e kemi pru vendimin si Kuvend Komunal për lëvizjen e lirë të qytetarëve por edhe automjeteve në urën kryesore. Kompetentë nga aspekti i sigurisë kanë biseduar dhe po bisedojnë me kryetarin e Komunës sepse ju siç e dini tensionet janë në pjesën veriore. Ndodhia në Banjskë, në Zveçan trazirat, janë një lloj tensioni në pjesën veriore por ajo është e rëndësishme për lirshmëri sepse në pjesën veriore gjithmonë ka qenë anarki kurse qetash përmes zbatimit të ligjeve, ne si Kuvend Komunal i bijmë vendimit të rëndësishëm për zbatimin e ligjshmërisë edhe në këtë pjesë edhe në këtë komunë e cila është në tensione”- ka thënë ai.

E për zbatimin e vendimit, i cili u mor në prill të vitit 2023 për lëvizjen e lirë, kryesusesi i Kuvendit thotë se duhet të ndihmojë bashkësia ndërkombëtare.

“Është problematike sepse bashkësia ndërkombëtare, si EULEX-i dhe KFOR-i, duhet me qenë të kyçun në këtë proces për hapjen e lirshme si të njerëzve ashtu edhe të mjeteve”- ka thënë Uglanin.

Qytetarët e veriut janë për bashkëjetesë dhe për tolerancë ndëretnike mirëpo sipas kryesuesit “janë grupet me ndikim nga Beogradi të cilët munden në moment ta prishin rendin dhe zbatimin e ligjit”.

Në anën tjetër, Lista Serbe ka reaguar lidhur me këtë çështje duke thënë se ky vendim është absolutisht i panevojshëm, i papranueshëm dhe lëvizje shkallësh që sipas kësaj partie synon mundësitë e mëtejshme destabilizuese në terren.

Kjo parti deklaroi se ky veprim do të ishte një lëvizje tjetër e njëanshme që asnjë serb në veri nuk do ta mbështeste dhe do të nxiste edhe më shumë tensionet.