Proteston Sindikata e Infermierëve të Kosovës, kërkojnë paga dinjitoze

Me moton “Paga dinjitoze, Jo diskriminimit” për të kundërshtuar rangimin sa i përket koeficienteve në Ligjin e Pagave, sindikata e infermierëve të Kosovës kanë marshuar nga QKUK deri te qeveria e Kosovës.

Para qeverisë u mblodhën shumë infermierë të cilët mbanin pankarta me shkrime “Jo diskriminimit”.

Enlirat Duraku nga sindikata e infermierëve tha se vetë fakti që ka pjesëmarrje kaq të madhe tregon për zhgënjim të stafit shëndetësorë.

“Sot po realizojmë këtë marsh me moton “Paga dinjitoze, jo diskriminimit”, numri i madh i pjesëmarrësve është indikator zhgënjimi dhe revoltë ndaj institucioneve shtetërore”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi ka thënë se, kërkesa e tyre për ligjin e pagave duhet të implementohet.

“Ne si Odë i kemi përkrahur kërkesat e infermierëve dhe personelit tjetër shëndetësorë. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa ligji të shkojë tutje”, tha ai.

Rrustemi tutje theksoi se, nuk janë Oda ata që po e ndalin këtë ligj, por kërkojnë trajtim të barabartë.

“Ka disa fjalë që ne jemi ata që po bllokojmë këtë ligj, ne kemi dëshirë që ligji të shkojë tutje, por në mënyrë të barabartë, punë e njëjtë, pagë e njëjtë”, shtoi tutje Rrustemi.

Organizatorët e këtij marshi bënë të ditur se nëse kërkesat e tyre nuk përfillen, do vazhdojnë prapë me aksione të tilla.