Protestohet sërish kundër shtrenjtimit të rrymës (VIDEO)

Përsëri në kryeqytet po protestohet kundër shtrejtimit të energjisë elektrike, pas vendimit për rikthimin e bllok-tarifave.

“Asnjë cent më shumë”, është motoja e kësaj proteste.

Një grup i protestuesve janë nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të Qeverisë së Kosovës.

Disa nga motot e protestës “Anulo vendimin”, “KEDS t’i kthehet Kosovës”, “S’paguaj edhe për veriun”, “Rrymë nuk është luks”, “Rrymë është e drejtë esenciale”.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur me datën 8 shkurt që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Partia Socialdemokrate kishte protestuar brenda zyrave të ZRrE-së për shkak të vendosjes së tarifave të reja dhe mos publikimit të vendimit për to.

KESCO ka dorëzuar në ZRrE kërkesën që tarifat e reja të hyjnë në fuqi nga muaji mars.

Këto janë pamjet nga protesta: