Ilustrim

KESCO i propozon ZRrE-së që aplikimi i tarifave të reja të fillojë nga faturat e Marsit

KESCO ka njoftuar se dje ka dorëzuar propozimin në ZRRE që vendimi për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të mos zbatohet nga data 9 Shkurt 2022, por të nisë së zbatuari në ciklin e ardhshëm të faturimit.

Sipas KESCO-s, ky propozim ka ardhur si rezultat i vështirësive që të bëhet prerja e gjendjes së leximit në një ditë për të gjithë konsumatorët tanë në Republikën e Kosovës.

“Ne synojmë që me këtë propozim të shmangim kofuzitetin e konsumatorëve në faturimin e këtij muaji duke zbatuar në të njëjtën faturë tarifat e deritanishme me tarifat e reja. Nëse  ZRRE-ja do ta marrë për bazë këtë propozim, atëherë faturimi i tanishëm  do të zbatohet me tarifat e vjetra për të gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur me datën 8 shkurt që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

ZRrE vendos për tarifat e reja