Protestë për mbrojtjen e qenve endacak

Aktivistë nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës në shenjë pakënaqësie lidhur me mënyrën e trajtimit të qenve endacakë. 

Ata akuzojnë Komunën e Prishtinës për keqmenaxhim të parasë publike dhe, siç thonë ata, qasjen e paligjshme të Komunës rreth trajtimit të këtyre qenve. 

Elza Ramadani, Drejtoreshë e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, ka deklaruar se Komuna po vepron njëanshëm duke qenë se sipas saj po strehon qenë jashtë standardeve ligjore dhe në mënyrë jotransparente. 

“Ne jemi këtu për të kërkuar llogari nga Komuna e Prishtinës. Jemi këtu, sepse paraja publike nuk është lojë dhe qentë endacakë nuk janë numra.” – tha Ramadani. 

Kështu, protestuesit iu drejtuan komunarëve me 6 kërkesa, si: strerilizim dhe kastrim masiv për të ulur numrin e qenve në rrugë, vetëdijësim dhe mbështetje për familjet që mbajnë qenë, vetëdijësim të qytetarëve, ndërtim të Strehimoreve që respektojnë Ligjet dhe mirëqenien e kafshëve; politika të bazuara në të dhëna, si dhe përfshirjen e qytetarëve dhe Shoqërisë civile për çdo vendim që ka të bëjë me kafshët e pambrojtura në vend.     

Për protestën e organizuar dhe akuzat e organizatorëve KALLXO.com ka intervistuar drejtorin e Shërbimeve Publike Bekim Brestovci, i cili mohoi këto pretendime. 

Sipas tij në menaxhimin e trajtimit të qenve endacakë në Prishtinë nuk ka keqpërdorim të parasë publike – duke shtuar se të gjitha procedurat që ndërmerr Komuna rreth trajtimit apo strehimit të tyre janë transparente dhe të ligjshme. 

“Nuk ka këtu keqpërdorim të parasë publike, sepse ne e kemi bërë një analizë dhe kemi një Vendim të Asamblesë Komunale që të gjithë adaptuesit e qenve, për shkak të kostos për mbajtjen e tyre, të subvencionohen me 50 euro.” – tha Brestovci sot, më 20.06.2025. 

Brestovci shton se deri më tani ata kanë arritur që t’i largojnë rreth 1,300 qenë nga hapësirat publike – duke synuar që, sipas tij, numri i qenve të larguar deri në fundvit të mbërrijë shifrën 2,000.

Në muajin prill Komuna e Prishitnës njoftoi për adaptimin e qenit të 1,000-të endacakë, derisa 4,000 të tjerë ishin të pastrehë, pasi vetëm ishin trajtuar. 

Përmes një komunikate për media u njoftua se në Prishtinë janë ngritur 23 Pika ushqyese dhe se sistemi i ri për menaxhimin e qenve endacak përfshin: kapjen, trajtimin, sterilizimin, strehimin dhe adaptimin.

Adopotohet qeni i njëmijtë në Prishtinë, katër mijë të tjerë ende të pastrehë 

Qytetarët e Kryeqytetit në vazhdimësi përballen me problemin e qenve endacak.

Në mars të këtij viti KALLXO.com raportoi se qentë sulmuan një 10-vjeçar afër Shkollës, derisa prindi paralajmëroi padi ndaj Komunës.

Komuna e Prishtinës në vitin 2024 hapi Strehimoren dhe Qendrën për Trajtim të Qenve Endacak në Hajvali, derisa në plan është edhe ndërtimi i një Qendre tjetër në fshatin Slivovë. 

Në këtë Qendër bëhet kastrimi, sterilizimi dhe vaksinimi i qenve.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama edhe në shumë paraqitje të tjera publike ka bërë të ditur se menaxhimi i situatës me qentë endacak nuk mund të bëhet vetëm nga niveli lokal, por sipas tij duhet edhe bashkëveprim me Komunat përreth, si dhe investim edhe nga niveli qendror.