Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Promovohet leksikoni ‘Vendbanimet e Kosovës’

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka promovuar sot leksikonin, “Vendbanimet e Kosovës”.

 Ky leksikon në tri vëllime ofron të dhëna të gjithanshme për vendbanimet e Kosovës.

Në përpilimin e tij janë angazhuar studiues të fushave të ndryshme.

Vëllimi i I-rë përfshinë 13 qendra urbane dhe 24 seli komunale.

Vëllimi i II-të përfshinë 737 vendbanime rurale të përcaktuara sipas alfabeti nga shkronja A deri te P.

Dhe vëllimi i III-të nga shkronja M deri në Zh, përfshinë 694 vendbanime rurale.

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Akademik Hivzi Islami, kryeredaktor i botimit, ka thënë gjatë promovimit se libri “Vendbanimet e Kosovës”, me nën titulli: Tabloja fizike-hapësinore, demografike dhe funksionale, përmban të dhëna relevante nga tereni për vendbanimet e Kosovës. Sipas tij aty janë dhënë edhe të dhënat për krimet, masakrat dhe dëmet materiale që i shkaktoi  dhuna serbe.

Ai ka thënë se në komunat veriore me shumicë serbe ka pasur probleme në hulumtimin dhe mbledhjen e të dhënave për ato komuna.

“U penguan nga autoritetet serbe bashkëpunëtorët e nacionalitetit boshnjak që u angazhuan në punë në teren në veri të Kosovës”, ka potencuar akademik Islami.

Ndërsa, akademike Justina Pula ka thënë  se ky botim i tipit të enciklopedik sjell fakte e dëshmi burimore nga terreni për vendbanimet e Kosovës.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Ky leksikoni është një vepër kapitale me vlerë të jashtëzakonshme, një botim kompleks, shkencor e profesion për vendbanimet e Kosovës”, ka thënë Pula.

Kurse, akademik Anton Berishaj është shprehur se AShAK ka sjellë një botim me rëndësi shkencor, por edhe një vepër monumentale.

”Leksikoni përmban të dhëna empirike për veçoritë fizike, mjedisore historike, arkeologjike, mjedisore, etj., të vendbanimeve”, ka thënë Berishaj.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një fjalë rasti gjatë këtij promovimi ka mbajtur kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja.

“Më këtë botim është bërë një njohje e shkëlqyer e Kosovës, të cilën e kemi pasur në dijeni krejt pak ose pjesërisht”, ka thënë Kraja.