Mitrovica e Veriut, foto nga arkivi

Prokuroria nuk ka nisur ende hetime për vaksinat kundër COVID-19 në veri të Kosovës

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ende nuk ka filluar hetimin penal për ardhjen e vaksinave kundër COVID-19 nga Serbia në veri të Kosovës.

Janë bërë më shumë se 20 ditë që nga ardhja e vaksinave kundër coronavirus në Kosovë më saktësisht në veri të Mitrovicës e përmes rrugëve ilegale ndërsa prokuroria nuk ka lëshuar ndonjë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj kësaj çështjeje.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.

“Varësisht prej rezultateve të grumbullimit të informatave, atëherë Prokuroria do të vlerësojë se a ka bazë që të fillojë hetimet. Për grumbullim të informatave është autorizuar Policia e Kosovës, gjegjësisht Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, e të cilët janë duke vepruar”, ka thënë Preteni.

Preteni shton se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbulloj informacione për ardhjen e vaksinave në veri të Kosovës.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informata për këtë çështje, në drejtim të veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha tutje Preteni.

KALLXO.com kishte raportuar në fund të vitit të kaluar se disa automjete me vaksina kundër COVID-19 kanë hyrë në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale, më saktësisht në Mitrovicën Veriore.

Më 28 dhjetor KALLXO.com kishte raportuar se tri automjete-kombi që po transportonin vaksina anti-COVID nga Serbia kishin hyrë në Kosovë përmes një pike kufitare në veri të Kosovës.

KALLXO.com mësoi se automjetet kanë qenë të mbushura me vaksina kundër COVID-19 të dedikuara për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Por KALLXO.com mësoi edhe se pas rrjedhjes së informacioneve se rasti i ardhjes së vaksinave është duke u hetuar nga organet e rendit në Kosovë,  automjetet me vaksina janë kthyer sërish në Serbi nën arsyetimin se mund të sekuestrohen nga organet e rendit.

KALLXO.com raportoi edhe se më 24 dhjetor, në veri të Kosovës kishin hyrë 55 vaksina të cilat kishin qenë të destinuara për personalin mjekësor në veri të Kosovës. Por, ata kishin shprehur rezerva për cilësinë e këtyre vaksinave dhe kanë refuzuar t’i marrin ato.

Tutje KALLXO.com mëson se pas refuzimit për marrjen e vaksinave kundër COVID-19 nga personeli mjekësor, të njëjtat janë përdorur për të vaksinuar personat e moshuar në veri të vendit.

Ardhja e vaksinave kundër COVID-19 në komunat serbe, sipas Qeverisë së Kosovës, është bërë përmes rrugëve ilegale pasi që nuk ka të dhëna se këto vaksina kanë ardhur përmes rrugës zyrtare.

Ka qenë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili kishte njoftuar se qytetarët e MitrovicësVeriore dhe të tri komunave tjera do të vaksinohen kundër COVID-19.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është për personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, kishte deklaruar Vuçiq.

Fillimisht Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për fillimin e vaksinimit për qytetarët serb në veri të Mitrovicës, ndërsa më vonë në një njoftim për media kanë treguar se nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

“Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të datës 26 dhjetor.

Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra.