Mitrovica e Veriut, foto nga arkivi

Mbrëmë në veri hynë tri automjete me vaksina, u kthyen në Serbi pasi mësuan se ardhja e tyre po hetohet

Tre automjete-kombi që po trabnsportonin vaksina anti-COVID nga Serbia kanë hyrë mbrëmë në Kosovë përmes një pike kufitare në veri të Kosovës.

KALLXO.com mëson se automjetet kanë qenë të mbushura me vaksina kundër COVID-19 të dedikuara për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Por KALLXO.com mëson se pas rrjedhjes së informacioneve se rasti i ardhjes së vaksinave është duke u hetuar nga organet e rendit në Kosovë,  automjetet me vaksina janë kthyer sërish në Serbi nën arsyetimin se mund të sekuestrohen nga organet e rendit.

Prokuroria në Mitrovicë është duke grumbulluar informacione në lidhje me ardhjen e vaksinave javën e kaluar.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Shyqyri Syla gjatë ditës së sotme i ka thënë KALLXO.com se janë duke mbledhur informacione se nga cilat rrugë saktësisht kanë ardhur vaksinat dhe kush i ka transportuar ato.

Ardhjen e vaksinave kundër COVID-19 në veriun e Kosovës e ka bërë të ditur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është për personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq.

Fillimisht Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për fillimin e vaksinimit për qytetarët serb në veri të Mitrovicës, ndërsa më vonë në një njoftim për media kanë treguar se nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

“Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje,  as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse  të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të datës 26 dhjetor.

Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra.

Ndërsa, pjesën tjetër të vaksinave do të blihen nga Ministria e Shëndetësisë. Përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 pritet të fillojë të përdoret në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor.