Prokuroria flet për rastin e foshnjës që u dërgua e vdekur në Spitalin e Pejës

Në mëngjesin e 18 qershorit, rreth orës 08:30 një foshnje është dërguar e vdekur në Spitalin e Pejës.

Foshnja ishte dërguar fillimisht për kontroll mjekësor, ndërsa mjeku kujdestar aty kishte konfirmuar se foshnja kishte arritur në spital pa shenja jete.

Për këtë rast, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë se nga ana e kësaj të fundit janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore.

Nikçi ka treguar se foshnja është dërguar për autopsi dje me urdhër të prokurorit, me qëllim që të sqarohen rrethanat e vdekjes.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë se rasti po cilësohet si “Hetim i vdekjes”.