Prokuroria do të hetojë mesazhet nga subjektet politike që i dërguan te qytetarët

Mëngjesin e sotëm të shumta kanë qenë mesazhet që kanë pranuar qytetarët e Kosovës në ditën e zgjedhjeve për të votuar subjekte të caktuara politike.

KALLXO.com raportoi për dy prej tyre ndërsa këto shkelje do t’i dërgoj në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Për shkak se KALLXO.com ka pranuar mesazhe edhe nga njëra parti politike me seli në Ferizaj, është kontaktuar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari.

I njëjti për KALLXO.com tha se ende nuk kanë pranuar informacione të tilla por që të njëjtat do të hetohen.

“Deri më tani nuk kemi iniciuar ndonjë rast të veçantë. Është qetë dhe nuk kemi informacione për ndonjë parregullsi. Për këto informacione të cilat përmendët ju normalisht se do të hetohen për të zbardhur çështjen se nga kush janë dërguar”, tha Jashari për KALLXO.com.

Më  13 shkurt ka filluar heshtja zgjedhore e cila do të  zgjasë  deri sa të  kryhet procesi i votimit më  14 shkurt nga ora 07:00 deri në ora 19:00.