Prokuroria dhe Policia shkojnë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve

Prokurori i Shtetit është njoftuar sot se kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KZQ), Valdete Daka, përmes ftesës publike ka kërkuar ndihmën e Prokurorisë dhe të Policisë që të jenë prezent brenda objektit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të keqpërdorimeve të mundshme në kuadër të procesit zgjedhor 2019.

Siç ka njoftuar zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, Prokurori i Shtetit duke u bazuar në Memorandumin e bashkëpunimit dhe koordinimin në mes institucioneve përkatëse ka të përcaktuara ndërmarrjen e aktiviteteve për luftimin me sukses, përfshirë parandalimin e të gjithë atyre që bien në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi lidhur me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

“Bazuar në kompetencat që ka KQZ-ja, gjatë tërë procesit të zgjedhjeve është e obliguar të koordinoj aktivitetet e saja me institucionet nënshkruese të memorandum bashkëpunimit, dhe pas prononcimit të kryetares së KQZ-së, Prokurori i Shtetit njofton publikun se në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR), tanimë janë prezent Prokurori i Shtetit dhe hetuesit nga Policia e Kosovës, të cilët bashkërisht do ti përcjellin dhe verifikojnë pretendimet e parashtruara nga KQZ-ja”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit Ekrem Lutfiu.