Prokuroria deklarohet në lidhje me dy vrasjet që ndodhën mbrëmë në Prishtinë

Prokuroria Themelore e Prishtinës është deklaruar në lidhje me dy vrasjet që ndodhën mbrëmë në kryeqytet.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë për KALLXO.com se në lidhje me rastin që ka ndodhur në rrugën “Dalip Alshiqi”, ku vdiq një grua si pasojë e të shtënave me armë zjarri, nga informatat e deri tanishme dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje dhe se njësitë relevante janë angazhuar në ndriçimin e rastit.

“Lidhur me rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Dalip Alshiqi” Prishtinë, ju njoftojmë se nga informatat e deri tanishme dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje, ku nga nata kritike e në vazhdim, Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”- tha Ulaj.

Për këtë rast Policia njoftoi në raportin 24 orësh se viktima, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Nuk është raportuar për të arrestuar.

Ndërkaq për rastin që ka ndodhur në rrugën “Ali Vitia”, ku vdiq një burrë si pasojë e një therje me thikë, Ulaj thotë se i dyshuari është identifikuar, mirëpo aktualisht ndodhet në arrati.

“Ndërsa, për rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Ali Vitia” Prishtinë, dyshohet se një person ka privuar nga jeta viktimën (mashkull), me mjet të mprehtë-thikë. Viktima është dërguar në IML, me urdhër të prokurorit, ndërkaq rasti është iniciuar “Vrasje”. Veprimet hetimore po vazhdojnë të ndërmerren karshi këtij rasti dhe personi i dyshuar është identifikuar, mirëpo aktualisht ndodhet në arrati”- u shpreh zëdhënësja e Prokurorisë për KALLXO.com.

Në lidhje me këtë rast, Policia thotë se dyshohet se i dyshuari ka sulmuar me thikë babanë e bashkëshortes së tij. Viktima nuk ka mund t`u përballoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në QKUK.

Vritet një grua në Prishtinë

I dyshuari për vrasjen e vjehrrit ende në arrati