Profesori i UP-së: Kuvendi ka rol fiktiv në financimin publik në Kosovë

Profesori Bedri Peci, i cili ligjëron financat, të drejtën financiare dhe disa lëndë të tjera në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës ka deklaruar se Kuvendi ka rol fiktiv sa i përket financimit publik të projekteve në Kosovë.

Sipas tij, Kuvendi ka rol të pakufizuar por nuk e shfrytëzon atë.

“Më i rëndësishëm është Kuvendi sa i përket financimit publik se sa qeveria. Tek ne Kuvendi ka pas rol fiktiv dhe jo funksion qysh është dashur të jetë. Kuvendi i Kosovës ka rol të pakufizuar por nuk e ka shfrytëzuar”, ka theksuar profesori Peci.

Më tej, Peci ka shtuar se Kuvendi e kontrollon paranë e harxhuar nga Qeveria.

“Roli i Kuvendit duhet me u rrit sa i përket menaxhimit të parasë publike. Qeveria e harxhon paranë publike por Kuvendi e kontrollon këtë”, ka thënë Peci.

Këtë ai e tha në tryezën e organizuar nga BIRN Kosova në partneritet me 10 organizata jo-qeveritare të Ballkanit në të cilën u diskutua për borxhin publik dhe kapacitetin e institucioneve për t’i menaxhuar kreditë.

Sipas të dhënave të fundit borxhi publik i Kosovës ka arritur në 1 miliardë 208 milionë euro. Norma e interesit është 2.14 për qind, koha mesatare për kthimin e borxhit është 5.2 vjet. 11% e borxhit është valutë jo euro.