Politika fiskale e Ali Bungut

Politika fiskale ne Kosovë edhe sot, 20 vjet pas lufte, po funksionon sikur të ishim në fazë emergjente që ishim pas luftës, gjatë administrimit të UNMIK-ut. Qëllimi i vetëm atëherë ishte fiskal, respektivisht mbledhja e të hyrave që të mbushej buxheti pa marrë parasysh funksionin zhvillimor ekonomik dhe social që do të mund të arrihej përmes politikës fiskale.

Pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës, në domenin e të hyrave, ka bërë ndryshime kryesisht vetëm në normat tatimore, si TVSh, Tatimi në të Ardhura të Korporatave dhe Tatimi në të Ardhura Personale.

Këto ndryshime me mburrje janë quajtur reforma tatimore.

Reforma e mirëfilltë fiskale nuk bëhet vetëm me ndryshime në norma tatimore.

Problemi kryesor është që sistemi tatimor i Kosovës akoma vazhdon të mbështetet kryesisht në dogana, që është metodë mjaft mesjetare për të mbushur arkën e shtetit.

Kjo sepse dihet se në perspektiven e afërt kohore doganat do jenë pengesë shumë më e theksuar për proceset integruese të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe institucionet si Bashkimi Europian, të cilin Kosova e aspiron aq shumë.

Kjo nënkupton që dizajnuesit e politikës fiskale duhet të gjejnë burime tjera të të hyrave si zëvendësim i të hyrave nga dogana.

Sistemi dhe politika fiskale në Kosovë ka nevojë për reformim të thellë dhe të mirëfilltë në të gjitha segmentet e saj. Fjalën e kam për identifikimin e mirëfilltë të bazës tatimore, analizimin dhe harmonizimin e efekteve tatimore të formave ekzistuese tatimore, zgjerimin e bazës tatimore, administratën tatimore, drejtësinë në tatim, riformulimin e strategjisë në luftimin e evazionit fiskal, etj.

Qëllimi i kësaj reforme fiskale do të duhet të ishte zhvillimi ekonomik dhe social i Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë përgjithmonë të kemi tatim pa plan për zhvillim të qëndrueshëm.

Pa dyshim, mungon formulimi i një politike afatgjate dhe të qëndrueshme.

Financimi i qëndrueshëm publik në një shtet është i kushtëzuar nga ekzistenca e tri dokumenteve bazike:

a) strategjia afatgjate e zhvillimit ekonomik;

b) korniza afatmesme e shpenzimeve (KASh), dhe

c) buxheti.

Korniza afatmesme e shpenzimeve është derivat i strategjisë afatgjate të zhvillimit ekonomik ndërsa buxheti është derivat i Kornizës afatmesme të shpenzimeve publike.

Kosova e ka dokumentin nën b dhe c, pra KASh-in dhe buxhetin, ndërsa i mungon strategjia afatgjate e zhvillimit ekonomik, i cili është dokumenti bazik mbi bazën e së cilës duhet të përpilohen dy dokumentet vijuese.

Kjo është arsyeja që Kosova nuk mund të ketë rezultate konsistente, por vetëm fragmentare dhe të përkohshme.

Strategjia afatgjate e zhvillimit ekonomik me objektiva afatgjate shërben si një kornizë për marrjen e vendimeve dhe siguron një bazë për planifikim.

Strategjia afatgjate e zhvillimit ekonomik, respektivisht bashkërendimi i një plani strategjik mund të ofrojë informacionin e duhur për të mbajtur shtetin e Kosovës në rrugën e duhur duke përcaktuar qëllimet dhe duke matur arritjet.

Duke analizuar informacionin në planin afatgjatë, drejtuesit mund të bëjnë ndryshimet e nevojshme dhe të vendosin skemën për planifikim të mëtejshëm.

Një plan afatgjatë objektivash strategjike do përfshinte një analizë SWOT. Kjo do të thotë të shqyrtojmë pasuritë/resurset e brendshme (P) dhe dobësitë/mungesat (D) e ekonomisë së Kosovës, si dhe mundësitë për përparim (MP) dhe kërcënimet (K) për mirëqenien ekonomike të Kosovës.

Përderisa çuditërisht në Kosovë nga ana e dizajnuesve të politikës ekonomike dhe financiare as që flitet për strategjinë afatgjate të zhvillimit ekonomike, në shtetet tjera ajo është pikënisja e çdo gjëje në politikën ekonomike. P.sh. Letonia ka përpiluar strategjinë afatgjate të zhvillimit ekonomike deri në vitin 2030.

Në Kosovë dizajnuesit e politikave ekonomike dhe financiare kanë udhëhequr deri tani me moton “ne po qeverisim më mirë se qeveria paraprake” dhe si të tilla asnjë nga qeveritë e deritanishme nuk ka arritur të krijojë standard europian në politikëbërjen ekonomike dhe financiare.

Kosova duhet sa më shpejtë që është e mundur të krijojë një Qendër Shtetërore të Bashkërendimit Ndërsektorial të udhëhequr nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për formulimin e Strategjisë Afatgjate të Zhvillimit Ekonomik. Kjo qendër do të definonte objektivat zhvillimore të Kosovës mbi bazën e resurseve të saja dhe do të shërbente si bazë për planifikime të mirëfillta edhe në domenin e politikës fiskale.

‘Conditio sine qua non’ (kusht i domosdoshëm) për një ekonomi të qëndrueshme është ekzistimi i një politike fiskale të qëndrueshme.

Politikë e qëndrueshme fiskale është ajo e cila mund të vazhdojë të ekzistojë pa pasur nevojë për modifikime, ndërsa me politikë të paqëndrueshme fiskale kemi të bëjmë atëherë kur ekzistenca e saj kushtëzohet me ndërmarrjen e ndryshimeve të caktuara.

Në rastin e Kosovës vazhdimisht ka pasur modifikime në domenin e  shpenzimeve, me theks të veçantë në vitet e fundit. Kjo ka bërë që politika fiskale të marrë karakter ad-hoc. Kjo shprehje, në anglisht, në përgjithësi nënkupton një zgjidhje të dizajnuar për një problem ose detyrë specifike, jo të përgjithësuar dhe që nuk synon të jetë në gjendje të përshtatet me qëllime të tjera.

Në rastin e politikës buxhetore në Kosovë fraza ad-hoc nënkupton ofrimin e financimit për një rast me “prioritet” duke mos i marrë parasysh rastet tjera të cilat jenë të prioritetit të njëjtë.

Në Kosovë Qeveria përmes politikës buxhetore nuk ka synuar të rialokojë burimet në përputhje me prioritetet ekonomike (maksimalizimi i fitimit) dhe prioritetet sociale (të mirëqenies publike) por ka synuar që përmes buxhetit dhe shpenzimeve ad-hoc të neutralizoj pakënaqësitë sociale të kategorive të ndryshme në sektorin publik.

 

Autori është Profesor  i Rregullt ne Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe është bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal, Amsterdam.