Emrat për anëtarë joekzekutiv të BQK-së, i dërgohen Kuvendit

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka miratuar dy pika të rendit të ditës që lidhen me kandidatë për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Pika e parë e miratuar ishte Shqyrtimi i Listës së kandidatëve nga konkursi i parë për një anëtarë jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe shqyrtimi i Listës së kandidatëve nga konkursi i dytë po ashtu për dy anëtarë jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Emrat e listuar për një anëtarë jo ekzekutiv të BQK-së janë: Bashkim Nurboja, Bedri Peci, But Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa.

Kryetari i Komisionit Armend Muja, ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë këtë listë në mënyrë që të njëjtën t’ia dërgojnë Kuvendit të Kosovës.

“Kërkohet që ne ta miratojmë këtë listë dhe të njëjtin t’ia rekomandojmë seancës së Kuvendit për përzgjedhjen e një anëtari jo ekzekutiv. Në rast se kalon ky rekomandim, votimi bëhet me votim të fshehtë. Kandidati i përzgjedhur nga Kuvendi i dërgohet presidentes për miratim dhe emërim në pozitën e anëtarit jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”, tha Muja.

Gjithashtu edhe në pikën tjetër ku kërkohet shqyrtimi i listës së kandidatëve për dy anëtarë joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Muja ka lexuar shtatë emra të cilët janë miratuar nga Komisioni dhe do t’i rekomandohen seancës së Kuvendit.

Emrat në listën e propozuar janë: Behxhet Brajshori, Driton Balaj, Edona Perjuci – Uka, Imrije Zeqiri, Nora Latifi – Jashari, Nuhi Ahmeti dhe Petrit Gashi.

Muja tha se kandidatët e përzgjedhur nga Kuvendi, i dërgohen presidentes për miratim dhe emërim.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për këto pozita kishte shpallur dy konkurse.