Rimëkëmbja ekonomike varet nga shkalla e vaksinimit

Rimëkëmbja ekonomike nga COVID-19 varet nga dinamika e vaksinimit, nëse akoma vonohemi përveq jetës së qytetarve rrezikojm të përmbysim vitet dhe dekadat e përparimit ekonomik.

 

Sigurimi i vaksinës nga shtetet bashkëkohore po aq sa prioritet shendetësor konsiderohet edhe si prioritet ekonomik. Kjo është arsyeja se pse shtetet garojnë në mes veti për sigurimin e vaksinave.

Kjo garë në mënyrë indirekte, përveç shëndetësore, duhet përkthyer edhe si garë ekonomike. Nga analizat e institucioneve financiare ndërkombëtare rezulton se që një shtete të rikuperohet ekonomikisht nga Covid-19, duke përfshirë rritjen e punësimit dhe besimin e konsumatorit, varet nga ajo se sa shpejt ai shtet  do jetë në gjendje të vendos virusin nën kontroll përmes vaksinimit.

Për të luftuar Covid-19 dhe për të siguruar vaksinat, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një buxhet prej 40 milionë euro. Përkundër kësaj, institucionet e Kosovës dështuan të sigurojnë vaksinat me kohë dhe bënë që Kosova të jetë vendi i fundit në Ballkan që ka filluar procesin e imunizimit.

Vonesat në negociata, mostransparenca si dhe gjendja politike, vlerësohet se kanë ndikuar në mossigurimin e vaksinave në Kosovë. Derisa shtetet qysh në vitin e kaluar kanë bërë negociatat direkte me kompanitë për të siguruar vaksinat, Kosova shpenzonte energji në luftë të brendshme për pushtet që rezultoj me zgjedhje parlamentare thua sikur çdo gjë është normale në një kohë që asgjë nuk ishte normale nga pandemia.

Konsideroj se Kosova është vonuar shumë në fillimin e kontakteve dhe arritjen e kontratave me kompanitë përkatëse prodhuese të vaksinave. Kontaktet është dashur të nisin verën e vitin 2020. Kjo vonesë përveç pasojave të rënda shendetësore vazhdon edhe tani të ketë edhe pasoja shumë të rënda ekonomike për Kosovën.

Që kur filloi kriza COVID-19, GDP-ja globale ka rënë me 4.2%. Ekonomia e Kosovës në vitin 2020 pësoi humbje për 6% të GDP-së, ndërsa pjesëmarrja e pakos së shpërndarë fiskale në GDP deri në dhjetor të vitit 2020 ka qenë rreth 288 milionë euro ose 3.6% e GDP-së (FMN). Diskrepanca e madhe në mes të pjesëmarrjes së humbjeve në GDP dhe pjesëmarrjes jo adekuate të Pakos Fiskale në GDP, pastaj kerkesat per financime që buxheti i Kosovës ka nga të gjitha anët, duhet të ngre para drejtuesve institucional në Kosovë konstatimin se shpëtimin ekonomik duhet kërkuar në vaksinim të qytetarëve. Kjo për faktin sepse trendi i rikuperimit të humbjeve me këtë kapacitet buxhetor që ka Kosova vetëm përmes pakos fiskale nuk është premtues. Një situate e tillë e vë në plan të parë vaksinimin si të vetmen mundësi të shpëtimit nga thellimi i humbjeve.

Kosova, pas Malit të Zi të varur nga turizmi, pësoi humbjen më të madhe në Ballkanin Perendimor. Por për ndryshim nga Mali i Zi që ishte i varur nga turizmi në Kosovë shkaqet e humbjes së thellë ekonomike janë pasojë e mosreagimit të fortë institucional për shkak të mungesës së konsensusit politik që rezultoj me zgjedhje parlamentare në pikun e pandemisë. Ndonëse në Kosovë të gjithë janë prekur nga COVID-19, më të dëmtuarit janë shtresa e varfrër dhe e mesme pasi ata kanë më pak akses në shërbime dhe më pak kursime dhe mekanizma për të përballuar situatën. Një humbje e tejzgjatur e të ardhurave, për këto shtresa që e përbëjn shumicën e popullësisë në Kosovë do të dëmtonte aftësinë e tyre për të investuar në arsim, ushqyerje, shëndet , etj, duke shkaktuar pasoja të rënda në planin afatgjatë.

Flukset hyrëse të remitancave për familjet në Kosovë vazhdojnë të pësojnë rënie. Nëse ne vonohemi akoma në sigurimin e vaksinave duke mbetur të fundit në europë në këtë proces qarkullimi i njerzëve, respektivisht mërgatës sonë në drejtim të Kosovës do ketë restriksione nga shtetet ku ata punojnë dhe kjo do ketë rënie akoma më të mëdha të të ardhurave nga remitencat.

Nga programet në nivel botëror për përballje të përbashkët nga ana e organizmave ndërkombëtar me pasojat e Covid-19 shihet se situatë nuk është premtuese. Programi më premtues është “Aksesi në përshpejtuesin e Mjeteve COVID-19 (ACT-Accelerator)” (https://www.who.int/initiatives/act-accelerator).

Ky program i nisur në Prill të vitit 2020 nga Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Presidenti i Francës, Presidenti i Komisionit Evropian dhe Fondacioni Bill & Melinda Gates është një bashkëpunim novator global për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në testet, trajtimet dhe vaksinat COVID-19.

Megjithatë, programi ka ende një hendek të konsiderueshëm financimi prej 28.2 miliardë dollarë – me 4.3 miliardë dollarë të nevojshëm urgjentisht për të ndjekur shpejt fushat kritike të punës.

Kanada, Francë, Gjermani, Japoni, Katar, Kore e Jugut, Suedi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – kanë kontribuar deri më tani 2.4 miliardë dollarë në punën e ACT-Accelerator.

“Nëse kjo mungesë nuk plotësohet, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të kenë vonuar aksesin në vaksina dhe mjete tjera në 2021, e cila do të rezultojë në një pandemi të zgjatur, me pasoja të rënda ekonomike”, thotë OBSh.

Andaj, nisur nga një sfond i tillë ndërkombëtar i garës së fort për vaksina, Qeveria Kurti II, nuk duhet të pres donacione të cilat janë të mirëseardhura por do jenë tepër të vonuara. Qeveria duhet me prioritet numër një t`i qaset blerjes sa më të shpejtë të vaksinave, përmes koordinimit dhe lobimit me institucionet ndërkombëtare, në veçanti me vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Israeli. Lobimi dhe diplomacia e vaksinave duhet të zhvillohet përmes takimeve bilaterale fizike dhe jo përmes komunikimeve elektronike siç është zhvilluar deri tani.

Janë ndarë 40 milionë euro dhe vaksinat duhet të blihen, nëse është e pamjaftueshme kjo ndarje buxhetore duhet të ndahen akoma mjete buxhetore, është situatë e jashtëzakonshme, duhen vendime të jashtëzakonshme dhe shpenzime të jashtëzakonshme.

Nëse akoma vonohemi, përveç jetës së qytetarëve rrezikojmë të përmbysim vitet dhe dekadat e përparimit ekonomik.

 

Autori është anëtar në panelin këshillëdhënës të Elsevierit- Amsterdam, bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të Profesorëve të së Drejtës Tatimore –Amsterdam si dhe Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.