Prodhuesit e Kosovës mbajnë takim informues për implementimin e masave mbështetëse të Qeverisë

Të hënën, më 8 nëntor 2021, prodhuesit e Kosovës dhe ministri i Finanacave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pritet të mblidhen për të diskutuar për masat mbështetëse të Qeverisë së Kosovës.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka njoftuar se do të organizojë një sesion informues rreth implementimit të masave të fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në njoftimin e tyre thuhet se Qeveria e Kosovës, e ka ri-orientuar fokusin e ekonomisë drejt prodhimit e eksportit, drejt rritjes së punësimit dhe drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Kështu ditë më parë, me qëllim të forcimit të pozitës se prodhuesit vendor në treg, kryeministri Abin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati prezantuan operacionalizimin e masës 2.1 – Mbështetja për kredi investive dhe masës 2.4 – Rritja e eksportit.

Sipas njoftimit, miratimi i këtyre dy masave synon që ekonomia vendore të fokusohet në prodhim e eksport, ashtu që të ketë rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila ju bën ballë lëkundjeve të tregut të jashtëm.

Prodhuesit thonë se qëllimi i këtij organizimi është që të mësohet më shumë lidhur me këto masa dhe përfitimet nga to.

“Se çka janë konkretisht këto masa dhe cilat janë përfitimet e drejtpërdrejta të prodhuesve nga këto masa, ky është edhe qëllimi i këtij organizimi. Prezent do të jetë edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati”, thuhet në njoftim.