Prizren, brenda 3 ditësh mbi 330 gjoba për mosmbajtje të maskës

Nga data 28 gusht deri më sot janë shqiptuar 338 gjoba për mosmbajtje të maskës në rajonin e Prizrenit.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Të gjithë ata që mendojnë që janë gjobitur pa të drejtë, Osmanollaj ka thënë se kanë të drejtë të ankohen dhe ankesa e tyre do të shqyrtohet nga një komision. Deri më tani, sipas tij, asnjë qytetar është ankuar.

“Prej datës 28 gusht kanë qenë diku 338 gjoba për mosmbajtje të maskës. Deri më tani nuk kemi pasë ndonjë ankesë”, ka deklaruar Osmanollaj për KALLXO.com.

Ai tha se gjobat po shqiptohen në bazë të Ligjit për pandeminë, i cili ka hyrë në fuqi që disa ditë.

“Maska është e obliguar me u mbajt sipas ligjit, pa marrë parasysh kudo që je, sidomos në qarkullim, je i obliguar me pasë maskën. Komentarë të këtij ligji ne nuk kemi, ne e japim gjobën në bazë të ligjit, ai (qytetari) ka të drejtë ankese në stacionin më të afërt. Komisioni vendos a ka të drejtë a s’ka, sepse ende nuk kemi komentar të këtij ligji”, ka deklaruar Osmanollaj.

Sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në nenin 24 i cili flet për lëvizjen në oraret e përcaktuara, pika 5 e parasheh edhe gjobitjen e atyre që nuk mbajnë maskë. Ndonëse, në këtë nen nuk përcaktohet se në cilat vende dhe raste mund të gjobiten qytetarët.

“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro”, thuhet në Ligj.

Sot gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se qytetarët po dënohen edhe kur janë në veturë dhe vetëm.