Ilustrim

Prizren, arrestohen dy të dyshuar për vjedhje

Dy persona janë arrestuar sot në Sërbicë të Ulët të Prizrenit nën dyshimin se kanë vjedhur vegla të punës në vlerë 4,000 euro.

Sipas Policisë dy të dyshuarit janë arrestuar mbi dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim më 27 janar 2021 rreth orës 13:00 kanë depërtuar me përdorim force në shtëpinë e një personi duke i hequr grilat, duke e dëmtuar dritaren e shtëpisë dhe vjedhur vegla të punës.

“Policia ka njoftuar se hetuesit e Stacionit Policor Prizren – Veri, pas veprimeve hetimore paraprake kanë identifikuar dhe lokalizuar vend-qëndrimin e dy të dyshuarve me iniciale D.T i lindur në vitin 1963 dhe I.G i lindur në vitin 1997”, shkruan në njoftimin e Policisë.

Njëri nga të dyshimtit e ka pranuar veprën e cila i ngarkohet dhe te të dyshuarit janë gjetur gjësendet e vjedhura të cilat janë sekuestruar nga Policia në cilesinë e provës materiale. 

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. 

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.

Me aktvendim dy të dyshuarve u shqiptohet masa e ndalimit policor për 48 orë dhe kundër tyre do të ngritet kallëzim penal për vjedhje të rëndë.