Ilustrim

Prishtinë, hapat ‘jo efektivë’ të komunës për trajtimin e qenve endacak

Qentë endacak, ndër problemet permanente me të cilin është përballur kryeqyteti. Mungesa e një strehimoreje për qentë endacak i ka lënë ata të bredhin rrugëve të qytetit duke i rrezikuar qytetarët nga sulme, madje shumë prej tyre janë raportuar edhe në media.

Rreziku nga numri i madh i qenve nëpër rrugë u përmend edhe në një kabllogram të lëshuar nga Ambasada e Amerikës në Kosovë.

Nga ambasada u tha se stafi janë të rrezikuar nga sulmet e qenve endacak, kur ata janë të uritur.

Ndërsa, komuna e Prishtinës nuk është se nuk ka tentuar të merret me këtë problem.

Në fillim të vitit 2020, komuna kishte lansuar një program për pika ushqyese për qentë endacak në disa lagje të qytetit.

Ky ushqim shpërndahet dy herë në ditë, projekti është ende në zbatim pasi komuna ka vazhduar këtë projekt edhe në pjesën e dytë të viti 2020 dhe tani që koha është e ftohtë dhe ka më shumë rrezik që qentë të jenë më agresiv.

Gjithashtu, komuna e Prishtinës çdo vit ndanë buxhet për trajtim të qenve endacak përmes KSVL (Kastrim, Sterilizim, Vaksinim dhe Lirim).

Po ashtu, komunat në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë projekt për trajtimin e qenve endacak.

Qeveria e Kosovës financon AUV-in për trajtimin e qenve endacak mbi 1 milion euro në vit.

Adrian Berisha asambleist nga radhët e Partisë Socialdemokrate në Kuvendin e Prishtinës, ka reaguar lidhur me vlerësimin e Ambasadës së Amerikës për qentë endacak.

Ai ka thënë se nuk janë të kënaqur me mënyrën se si AUV e menaxhon projektin duke shtuar se kanë kërkuar që kjo përgjegjësi të kaloj tek komunat duke u ndarë edhe buxhet drejtë tek këto të fundit.

“Trajtimi, si në asnjë Komunë në Kosovë, monitorohet nga OJQ-të e vendit dhe tashmë kemi krijuar një precedent goxha interesant në vend. Si Komunë nuk jemi fare të kënaqur me mënyrën se si AVU e menaxhon komplet projektin e trajtimit të qenve endacak. Kemi kërkuar dhe lobojmë përmes Asociacionit të Komuna të Kosovës që Komunave të ju kalojë përgjegjësia për menaxhim të këtij problemi dhe normalisht që edhe buxheti nga Qeveria t’i ndahet komunave drejtpërdrejt”, ka shkruar Berisha në Twitter.

Gjithashtu pas shumë vonesave, Prishtina në fund të vitit 2020 ka nënshkruar kontratë me vlerë mbi 100 mijë eurove për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Sa do mund të jetë zgjidhje kjo strehimore mbetet të shihet, pasi në Kuvendin e Komunës është thënë që menaxhimi i tyre do jetë i vështirë, marrë parasysh që qentë lëvizin nga një komunë në tjetrën.