Ambasada Amerikane: Kuvendi ka humbur kohë në sulme personale në vend që të kryejë përgjegjësitë e veta

Ambasada Amerikane ka reaguar ndaj tensionet e mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës ku ndër tjera, deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj iu vërsul Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Zyra e Amabasadës Amerikane ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka humbur kohë në shpërqëndrime dhe sulme personale në vend që të kryej përgjegjësitë e veta.

Tutje, në reagim thuhet se ambasada u ka bërë thirrje deputetëve që të ulin retorikën e politizuar dhe të bashkohen në mënyrë që të gjejnë zgjidhje për krizën e krijuar në ekonimi dhe shëndetësi.

“Njerëzit e Kosovës meritojnë më mirë”, thuhet në reagim.

Përveç ambasadës së Amerikës, në lidhje me ngjarjen e djeshme ka reaguar edhe Bashkimi Evropian në Kosovë.

“Të gjithë duhet të angazhohen për një konsensus politik dhe të përmbahen nga dhuna, e cila nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e lëre më në Dhomën e Njerëzve, veçanërisht kundër një gruaje – Kryetari i Kuvendit”, thuhet në reagim e BE-së.

Mbrëmë gjatë kohës sa Osmani po i jepte fjalën deputetes Ganimete Musliu, në këtë debat ka ndërhyrë deputeti Xhavit Ukaj nga LDK.

Osmani i ka replikuar deputetit duke i thënë “A po ulesh edhe mos bërtit, sepse jeni ju që më së shumti e keni përdor për 52 ditë fjalën paranojak, ulu ose kërkoj prej sigurimit me të qitë jashtë”, ka thënë Osmani.

Pas fjalës së Osmanit, deputeti Ukaj ka vazhduar përplasjen e tij me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas kësaj, deputeti i është afruar deri tek ulësja kryetares së Kuvendit duke ju vërsulur.

Tek foltorja janë mbledhur një numër i madh i deputetëve duke tentuar që të ndalojnë përplasjen mes kryetares së Kuvendit dhe deputetit Ukaj.

Pas kësaj, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë seancën e Kuvendit me arsyetimin e paedukatës së deputetit Ukaj.

Ndërpritet seanca, deputeti i LDK-së i vërsulet Osmanit