Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj për mos-ftesën e Kosovës në Samit: Sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në llogarinw e tij nw rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me mos fteswn e Kosovës në “Samitin e Presidentit për Demokracinë” të mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye me Presidentin Joe Biden.

Mos thirrja e Kosovës në këtë Samit, sipas Haradinajt është shqetësuese dhe duhet të shërbej si sinjal alarmi për raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, e gjithë këtë, siç e quan ai, degradim, është rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit.

“Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush. Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur”, ka shkruar mes të tjerash ai.

Deputeti përmes këtij shkrimi gjithashtu e ka ftuar kryeministrin Kurti që të lirohet nga politikat të cilat, sipas tij, zbehin rolin e Amerikës në Kosovë dhe rajon. Ai po ashtu ka theksuar se “Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik”.

“Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”, është shprehur Haradinaj.

Përveç Haradinajt, për mos ftesën e Kosovës në Samit ka reaguar edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Ambasada e ShBA-së tregon pse Kosova nuk u ftua në ‘Samitin e Presidentit Biden për Demokraci’