
Prishtinë, gazetarët ukrainas falënderojnë Kosovën, kërkojnë ndaljen e luftës në vendin e tyre - FOTO
Gazetarët ukrainas që janë strehuar në Kosovë kanë zhvilluar sonte një aksion simbolik në njëvjetorin e fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.
Ata kanë marshuar nga sheshi “Skënderbeu” në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”, me pankarta në duar përmes të cilave falënderonin Kosovën për mbështetjen, e bënin thirrje për ndërprerje të luftës.
“Faleminderit që po qëndroni përkrah Ukrainës” e “Të ndalojmë Rusinë së bashku” ishin disa nga mesazhet që përcollën marshin.
Këtij marshi iu bashkuan edhe kosovarë që mbanin në duar mesazhin “ E kuptojmë se si ndiheni, e kemi përjetuar edhe ne… por në fund do të buzëqeshim së bashku”.
Në përfundim të marshimit, gazetarët ndezën qirinj për të nderuar viktimat që humbën jetën në Ukrainë si pasojë e agresionit rus.
Gjithashtu, edhe ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.
Sot, më 24 shkurt, u bë një vit nga dita kur Rusia e sulmoi ushtarakisht Ukrainën. Përkundër shumë vlerësimeve të inteligjencës përendimore që parashikonin një fitore të shpejtë ruse, Ukraina dëshmoi pikërisht të kundërtën. Forcat ukrainase ndaluan një sulm në kryeqytetin e saj, Kiev, dhe e detyruan Rusinë ta ndryshojë fokusin e saj në pjesën lindore të vendit.
Një vit pas luftës, ka shenja se luftimet mund të zgjasin shumë gjatë. Rusia nuk është lëkundur nga qëllimi i saj për ta futur nën kontroll Ukrainën lindore, ndërkohë që Kievi ka refuzuar çdo zgjidhje që do të lejonte që territoret e saj të pushtuara gjatë luftës të mbeten nën pushtimin rus.
Lufta ka shkaktuar mijëra viktima, qytete e fshatra janë shkatërruar dhe miliona njerëz janë zhvendosur edhe jashtë Ukrainës.