Prishtinë, dy persona gjuajnë me armë një tjetër nga skuteri

Në qendër të Prishtinës para pak çastesh ka ndodhur një gjuajtje më armë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, afër katedrales “Nënë Tereza” në kryeqytet. Dy persona, dyshohet se gjuajtën një tjetër nga skuteri.

“Me 24.08.2020 rreth orës 21:20 Policia ka pranuar një informatë se në Prishtinë në rrugën “Dëshmoret e Kombit” ka të shtëna me armë. Njësitë relevante të stacionit policor “Jugu” i janë përgjigjur menjëherë informatës dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Personi nuk ka pësuar asnjë lëndim ndërsa forcat e rendit kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë hasur në personin e gjinisë mashkullore, i cili ka deklaruar se deri sa ishte duke dalë nga një market, dy persona të panjohur të cilët kishin qenë në një skuter, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Sipas tij ai ka dëgjuar rreth 5 të shtëna, por nuk është qëlluar. Nuk raportohet për viktima tjera deri ne këtë moment. Policia janë ende në vendin e ngjarjes duke ndërmarrë veprime operacionale dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë zëdhënësi i forcave të rendit, Daut Hoxha.

Ndërkohë, Policia ka bllokuar rrugët që dërgojnë në drejtim të vendngjarjes.