Prishtina ndan 50 mijë euro ndihmë për Shqipërinë

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur të ndajë 50 mijë euro për ndihmë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Komuna e Prishtinës po ashtu ka njoftuar se ekipet e inxhinierëve nga Komuna dhe Ndërmarrja Publike Banesore do t’i bashkëngjiten ekipeve të inxhinierëve të ndërtimtarisë nga Kosova e Shqipëria për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve në ndërtesa kolektive e në shkolla, në Durrës e rrethinë.

Familjet e para nga Shqipëria të prekura nga tërmeti kanë arritur sot  në Pejë.

Numër i madh i kosovarëve kanë shprehur gatishmërinë për të strehuar familjet nga Shqipëria të cilat kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e tërmeteve të ditës së djeshme.

Qytetarë e grupe të shumta të organizuara janë duke mbledhur gjëra të nevojshme ushqimore dhe në veshmbathje për t`u dalë në ndihëm familjeve të prekura nga tërmeti.

Të dhënat e fundit nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë tregojnë se numri i viktimave ka arritur në 24 perona të vdekur, derisa kërkimet për të mbijetuar të tjerë nën rrënoja janë duke vazhduar.

Ministria e Mbrojtjes së fundmi ka publikuar bilancin e plotë të bërë deri tani. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes nga tërmeti kanë humbur jetën 24 persona dhe janë lënduar në total 650 persona.

Pamje – Familjet a para të prekura nga tërmeti në Shqipëri arrijnë në Pejë