Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja udhëtoi për në Singapor

Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Singapor, ku do të takohet me presidentin e Sinaporit, Tharman Shanmugartnam dhe kryeministrin, Lee Hsien Loong.

Osmani do të jetë folëse edhe në një forum atje dhe e ftuar në një ceremoni të organizuar nga Princi Willian i Wales-it.

“Në kuadër të kësaj vizite Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Forumin Ekomomik te Bloombergut në Singapor, ku do të jetë ndër folëset kryesore në këtë forum. Forumi Ekonomik i Bloomberg-ut është ndër forumet më të mëdha dhe më të rëndësishme ekonomike në botë, i cili mbledhë CEO nga kompanitë më të suksesshme botërore dhe liderë politik, për të diskutuar tejkalimin e sfidave globale në fushën e ekonomisë dhe krijimin e partneriteteve te reja”- njofton Presidenca.

Sipas këtij njoftimi, Presidentja Osmani bashkë me biznese kosovare në Bloomberg, do të jenë edhe pjesë e një tryeze për tregtinë, investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Singaporit.

“Në këtë tryezë, ajo do të flasë për potencialin ekonomik të Kosovës dhe së bashku me bizneset kosovare do t’i përgjigjen interesimit të bizneseve të Signaporit”- thotë Presidenca.

Ceremona e Earthshot Prize, që mbahet nën patronatin e Princit William të Wales-it, ku është ftuar edhe Osmani është ceremoni që i dedikohet agjendës së gjelbër.