Foto: ZPRK

Presidentja Osmani takon ambasadorin Hovenier: Largimi i masave krijon situatë të barabartë në tryezën e dialogut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të rregullt me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Sipas një komunikate për media, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun me Serbinë.

Në këtë drejtim, Osmani ka ritheksuar rëndësinë e largimit të masave për të krijuar një situatë të barabartë në tryezën e dialogut.

Në njoftim bëhet e ditur se Osmani dhe ambasadori Hovenier diskutuan edhe për koordinimin e agjendës ndërkombëtare të presidentes.

Në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, presidentja gjithashtu i përcolli urimet më të mira popullit amerikan, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e vazhdueshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara.

Një vit më parë, Bashkimi Europian, më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave në veri të vendit.

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuan rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.