Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi në takim pune me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. FOTO: Presidenca e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani takoi ambasadorë të vendeve të BE-së e bisedoi me presidentin kroat, flasin për situatën në veri

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar sot takime me ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu, ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, ambasadaorin norvegjez Jens Erik Grøndahl, dhe ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Në këto takime, presidentja Osmani ka folur me ambasadorët për gjendjen në veri të Kosovës, me ç’rast ka dënuar sulmet që janë bërë ndaj ushtarëve të KFOR-it gjersa i ka falënderuar trupat paqeruajtëse të NATO-s për shërbimin dhe gatishmërinë e tyre për ruajtjen e rendit she stabilitetit në Kosovë.

Presidenca ka njoftuar se në këto takime Osmani ka  diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Komunikata e Presidencës ka njoftuar se presidentja Osmani i ka falenderuar këto shtete për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në Kosovë, gjersa ka konfirmuar partneritetin dhe gatishmërinë për një koordinim të ngushtë në të ardhmen, me qëllim e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e Komunës, tre kryetarët e tjerë nuk e bënë në objektet e komunave por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdor edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave të komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar as sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve, të cilët janë penguar gjatë raportimit dhe po ashtu disa vetura të mediave janë dëmtuar e djegur.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës.

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?