Presidentja Osmani pritet nga homologu gjerman, kërkon mbështetje për njohje e liberalizim të vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani, ku po qëndron me ftesë të presidentit Frank-Walter Steinmeier, është pritur me nderimet më të larta shtetërore.

Në komunikatën pë media potencohet se në takim me homologun Steinmeier, presidentja Osmani e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme dhe është angazhuar për thellimin e marrëdhënieve.

Më tej, presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja, sikurse edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave.  Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, ka theksuar presidentja Osmani në takim me presidentin Steinmeier.

Procesin e Berlinit, presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Republika e Kosovës synon ta avancojë bashkëpunimin rajonal – në përputhje me planin e veprimit të krijuar në Sofje (2020) për krijimin e një tregu të përbashkët të katër lirive themelore (lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit)”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas saj,  çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE -së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktualë të Kosovës.

Në takim me presidentin  Steinmeier, presidentja Osmani ka përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman.  Më tej, znj.Osmani i ka thënë homologut Steinmeier se Kosova është e interesuar për rritjen e investimeve direkte nga Gjermania.

Presidentja Osmani ka theksuar, gjithashtu se Kosova është e interesuar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshje me Gjermaninë, si ajo për transportin e mallrave dhe automjeteve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, si dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i Memorandumit dypalësh për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova.