Osmani bisedon me presidentin e Gjermanisë: Propozimi i BE-së, momentum i veçantë për dialogun

Presidentja e Kosoës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Sipas komunikatës për media, në këtë bisedë telefonike është diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon, dialogun me Serbinë, marrëdhëniet bilaterale me Gjermaninë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në njoftim thuhet se, presidenti Steinmeier ka vlerësuar procesin e reformave në Republikën e Kosovës, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe ka shprehur përkrahje për rrugën euro-atlantike të vendit tonë.

Ndërkaq, presidentja Osmani e ka falënderuar Presidentin Steinmeier për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë karshi integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike, teksa ka potencuar rëndësinë e ecjes përpara me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, në kumtesë bëhet e ditur se, Osmani dhe Steinmeier janë pajtuar për momentumin e veçantë që ekziston në këtë proces pas propozimit evropian, të mbështetur edhe nga SHBA-të.

Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive për një proces që kontribuon për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit, të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.