Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja Osmani: Dialogu të rimendohet pas sulmit në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rimendohet në suaza të ngjarjeve nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zvecanit.

Sipas Osmanit, qasja në këtë proces gjatë këtyre viteve e ka inkurajuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq të përdor dhunë dhe akte agresioni.

“Janë bëtë më shumë se 12 vite në dialog dhe është koha për reflektim. Qasja përgjatë këtyre viteve e ka inkurajuar [Aleksandar] Vuçiqin që ai të përdor dhunë dhe të kryejë akt agresioni. Duhet të ketë mësime të mësuara. Procesi i dialogut të rimendohet në suaza të asaj çfarë ka ndodhur më 24 shtator, duke e ditur që është shkelje e nenit tre të marrëveshjes së darkorduar më 27 shkurt dhe aneksit në Ohër”- ka thënë Osmani.

Ndërsa, ka shtuar se nuk ka ndonjë dyshim që Serbia qëndron para sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

Ajo përmendi katër elemente që sipas saj e çojnë përgjegjësinë tek presidenti serb Vuçiq.

“Janë katër elemente thelbësore që e lidhin Serbinë me këtë sulm dhe e çojnë përgjegjësinë deri tek presidenti Vuçiq, e para financimi i këtyre strukturave që ka dëshmi të evidentuara muaj më parë, e dyta ka të bëjë me armët, e treta ka të bëjë me trajtimet dhe e katërta ka të bëjë me involvimin dhe lidhjet politike”- tha Osmani.

Në një konferencë për media, ajo tutje tha se po presin nga shtetet anëtarë të Bashkimit Europian që të marrin masa ndaj Serbisë.

“E kuptoj që shtetet anëtare veç e veç i kanë procedurat e për konfirmim të informacioneve por presim që të merren masa konkrete që lidhet me parimin e mësimeve të mësuara”- tha ajo.