Policia: Të dyshuarit kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme të arit në argjendari

Drejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, Faton Alija, ka thënë se grabitësit kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme të arit në argjendarinë e cila dyshohet se u grabit nga katër persona të armatosur sot në Suharekë.

Ndërsa deri më tani ende nuk dihet vlera arit të grabitur.

Teksa ka dhënë detaje për rastin, Alija ka njoftuar se shitësi i lokalit nuk ka pësuar lëndime.

“Të dyshuarit kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme të arit në argjendari. Shitësi që ka qenë në lokal nuk ka lëndime. Ata kanë ikur në drejtim të fshatrave. Për momentin dihet që është një veturë ngjyrë hiri”- tha ai në një prononcim për KALLXO.com.

Ai ka njoftuar se targat e veturës e të dyshuarve ka rezultuar që janë vjedhur diku në Prishtinë.

“Tabelat kanë rezultuar që janë të vjedhura”- tha ai.

Alija po ashtu ka dhënë detaje se si ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit mes zyrtarëve të Policisë dhe personave të dyshuar për grabitjen që ndodhur sot në Suharekë.

Ai ka thënë se Policia ka pranuar informacionin për grabitje rreth orës 16:00 dhe patrulla që ka qenë afër vendit të ngjarjes i është përgjigjur rastit.

Sipas tij, ende pa dalë zyrtarët policorë nga vetura, të dyshuarit kanë gjujtur me armë në drejtim të Policisë me ç‘rast lëndime ka marrë polici që ka qenë duke drejtuar veturën.

“Me të pranuar informatën, baza e Suharekës ka shpërndarë informacionin për një grabitje. Ende pa dalë prej veture të dyshuarit kanë gjujtur në drejtim të Policisë, me këtë rast njëri nga zyrtarët që ka qenë duke e drejtuar mjetin ka marrë lëndime të lehta në këmbë dhe ka marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë kolegu tjetër ka dalë prej veture dhe ka shkëmbye zjarr me të dyshuarit. Ai ka një lëndim në dorë, do të thotë polici i dytë i lënduar por jo me armë zjarri”- ka thënë ai.