Policia po heton intensivisht vrasjen e shumëfishtë në Gjilan

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka thënë se janë duke e hetuar intensivisht vrasjen e shumëfishtë në Gjilan, të ndodhur ditën e djeshme.

Sipas kësaj komunikate, zyrtarja policore Valona Bllaca, e cila dyshohet se është përfshirë në rast, ka qenë duke punuar në Stacionon Policor të Gjilanit që nga data 7 korrik të vitit 2017 dhe pas rekomandimit të psikologut, zyrtares i është marrë arma zyrtare dhe është caktuar në punë të lehta.

Vendimi është rikonfirmuar më pas edhe nga klinika përkatëse, pas kontrolleve shëndetësore psikologjike të mbajtura me 16 tetor 2019, ku bazuar në rekomandimet, zyrtarja ka kryer punë kryesisht administrative, pasi i është marrë arma zyrtare.

“Në kuadër të Policisë zyrtarja është trajtuar në 14 seanca të ndryshme dëgjimore dhe këshilluese nga viti 2016 deri në fund të vitit 2019, gjersa në klinikën e kontraktuar nga Policia ajo ka mbajtur 6 seanca, ku i është caktuar diagnoza përkatëse dhe i është caktuar terapia adekuate nga komisioni mjekësor përkatës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Tutje në komunikatë thuhet se zyrtarja në fjalë, trajtimin e fundit mjekësor e kishte mbajtur me 3 tetor 2019, në të cilin trajtim gjithashtu është rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës, përfshirë edhe armën zyrtare, për shkak të gjendjes së saj psikologjike.

Policia e ka konfirmuar se nuk dihet se si zyrtarja e ka marrë armën zyrtare, e cila ka qenë duke u ruajtur në stacionin policor ku zyrtarja ka shërbyer. Inspektoriati Policor gjithashtu është duke e hetuar mënyrën se si ka ardhur ajo deri tek arma.

“Në vendin e ngjarjes janë kontaktuar dëshmitarë të mundshëm, ku disa nga ta janë intervistuar. Më pas janë kontaktuar edhe persona tjerë me të cilët Policia ka biseduar për njohuritë e tyre për këtë rast. Gjithsej janë kontaktuar 20 persona. Informacionet e marra nga këta persona janë pjesë e procedurës hetimore”, thuhet tutje në komunikatë.

Policia edhe njëherë e ka konfirmuar suspendimin e katër zyrtarëve policorë të rajonit të Gjilanit, prej 72 orëve, me qëllim të zhvillimit të hetimeve të pavarura.

“Policia e Kosovës së bashku me institucionet e drejtësisë dhe të IPK-së, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së rrethanave dhe motivit që kanë çuar deri te ky rast tragjik”, thuhet në fund të komunikatës së Policisë së Kosovës.

Mëngjesin e sotëm, KALLXO.com ka drejtuar një kërkesë në Stacionin Policor në Gjilan, për intervistimin e komandantit të Stacionit Policor të Gjilanit, Alban Ramushi.

Por, kjo kërkesë është refuzuar nga ana e policisë, me arsyetimin se komandanti është i suspenduar dhe nuk ka të drejtë prononcimi.

“Me mirësjellje ju njoftoj se gjersa komandanti i stacionit është i suspenduar dhe në proces të hetimeve në bazë të procedurave nuk ka të drejtë të prononcimit për media”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Tragjedia në Gjilan, suspendime masive në Polici