Feronit Shabani

Policia në kërkim të reperit Fero, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri

Policia e Kosovës ka njoftuar se është në kërkim të një personi në Gjilan, i cili dyshohet se mbrëmë ka shtënë me armë zjarri.

KALLXO.com mëson se bëhet fjalë për reperin Feronit Shabani, i njohur si “Fero”.

Sipas informacioneve të Policisë, i njëjti dyshohet se ka shkuar në një lagje të qytetit të Gjilanit dhe po sa ka dalë nga vetura ka shtënë një herë me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga kjo e shtënë nuk ka pësuar lëndime trupore askush.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka thënë se i dyshuari është në kërkim ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të policisë të cilat kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes. I dyshuari ende nuk është takuar dhe është në kërkim nga ana e Policisë së Kosovës. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të iniciohet rast për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ndërsa rrethanat se si ka ndodhur rasti janë duke u hetuar nga ana e Njësisë së Hetimeve të Stacionit Policor Gjilan” – ka thënë Hashani.