Policia në Ferizaj shqipton 98 gjoba për mosrespektim të masave kundër COVID-19

Policia në rajonin e Ferizajt gjatë ditës së sotme ka zhvilluar aktivitet të shtuar për respektimin e masave ndaj COVID-19.

Në komunikatën për media, thuhet se nga ora 08:00 deri 16:00, përpos 40 vërejtjeve policore, policia ka shqiptuar 98 gjoba ndaj qytetarëve që nuk kanë respektuar masat e fundit të Qeverisë.

Në komunikatë potencohet se masat e fundit për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në masë të madhe po respektohen nga shumica e qytetarëve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka kërkuar nga qytetarët që të bashkëpunojnë më ta nëse kanë informacione për persona apo vende ku nuk respektohen masat anti-COVID-19.