Policia jep detaje për vrasjen në tentativë në Prekaz të Skenderajt

Një vrasje në tentativë ka ndodhur në pasnatën e 4 korrikut në fshatin Prekaz i Poshtëm në Skenderaj.

Sipas raportit policor, një person ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture.

Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë dhe 8 gëzhoja.

Nuk raportohet për të lënduar.

Me vendim të prokurorit i njëjti dërgohet në mbajtje.

Përveç asaj, në Skenderaj mbrëmë u përdorë kallashnikovi edhe në fshatin Runik.

Policia bëri të ditur se është arrestuar një person për shkak se kishte shtënë disa herë me armë në ajër duke e kërcënuar babanë e ish-bashkëshortes së tij

I dyshuari është arrestuar dhe nga i njëjti është sekuestruar një armë automatike AK47 së bashku me 7 fishekë si dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja.

I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Të shtunën pas mesnatës, një inicident dy zyrtarëve të policisë ndodhi në Skenderaj. Në mesin e të dyshuarve është Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetar i Komunës së Skenderajt, bashkë me disa familjarë të tij.

Nga ky incident sipas raportit zyrtar të Policisë, dy zyrtarë policor janë plagosur, njëri me armë e tjetri me mjete të forta.

Mbrëmë, polic të njësive speciale e kanë shoqëruar Lushtakun në gjykatën e Mitrovicës. Kjo e fundit i ka caktuara atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Vendimi për ndalimin e të njëjtit është bërë gjatë ditës së djeshme pasi Prokuroria thotë se ka grumbulluar prova dhe materiale se i njëjti ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 2 korrikut në të cilën mbetën të plagosur dy zyrtar policor.

Nuredin Lushtaku për KALLXO.com të dielën mohoi të ketë përdorë armë ai, djemtë ose vëllëzërit e tij në drejtim të zyrtarëve policor.

Lushtaku mohoi që ata kanë plagosur policët. Sipas tij, armën e ka përdorur njëri polic.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, tha Lushtaku.