Pamje: Polici me maskë e shoqëron Nuredin Lushtakun e prangosur mesazhi i tij pas paraburgimit

Nuredin Lushtaku u është drejtuar me një mesazh të shkurtër mediave në kohën kur një polic i maskuar po e shoqëronte atë në makinën e njësive speciale.

“A u kënaqët” u ka thënë Lushtaku mediave në kohën kur ai po hipte në makinë i prangosur.

Në videon e transmetuar nga televizioni Dukagjini shihet Lushtaku tek u flet gazetarëve.

 

Polic të njësive speciale e kanë shoqëruar Lushtakun në gjykatën e Mitrovicës. Kjo e fundit i ka caktuara atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com avokati mbrojtës i Lushtakut, Artan Qerkini.

Avokati paralajmëroi se lidhur me këtë vendim do të ankohet në Gjykatën e Apelit.

“Është caktuar 1 muaj paraburgim, jemi të pakënaqur me vendimin, dhe natyrisht do të parashtrojmë ankesë”, tha ai.

Sot Prokuroria në Mitrovicë ka kërkuar masën e paraburgimit për ish-nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakun dhe dy familjarët e tjerë.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se si ndaj Lushtakut ishte marrë vendim për ndalim nga ana e prokurorit të rastit ndërsa i njëjti nuk ishte hasur nga organet e rendit dhe për pak kohë u shpall në kërkim.

Pas njoftimit, Nuredin Lushtaku ishte dorëzuar te autoritetet e rendit ndërsa është marrë vendimi sërish për ndalim dhe ndaj të njëjtit po kërkohet edhe masa e paraburgimit.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Nuredin Lushtaku ishte intervistuar dhe ishte liruar në procedurë të rregullt.

Vendimi për ndalimin e të njëjtit është bërë gjatë ditës së sotme pasi Prokuroria thotë se ka grumbulluar prova dhe materiale se i njëjti ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 2 korrikut në të cilën mbetën të plagosur dy zyrtar policor.

Vetë Lushtaku e ka mohuar në një bisedë për KALLXO.com se u përdorën armët në incidentin me zyrtarët policor.

Të ndaluar për 48 orë janë edhe dy familjarë të tjerë të Lushtakut, F.L., dhe A.L.

Këta të dy po dyshohen për sulm ndaj personit zyrtar, përdorim të armës dhe mbajtje në pronësi të armës pa leje.

Edhe për këta të dy prokuroria ka kërkuar paraburgimin.

Sipas njoftimit të prokurorisë në Mitrovicë, ekziston dyshimi i bazuar se “F.L., A.L. dhe N.L., me datë 2 korrik rreth orës 23:45 në Skenderaj kanë sulmuar dy zyrtarë policor të stacionit policor në Skenderaj që kanë qenë në detyrë zyrtare dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policor dhe njëri nga zyrtarët është goditur me predhë të armës në këmbë”.