Policia jep detaje për aksionin e pastrimit të parave në Drenas

KALLXO.com ka raportuar sot se dy persona janë arrestuar në Drenas nën dyshimin se kanë futur para me ngjyrë në një bankomat e që më pastaj i kanë tërhequr menjëherë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se edhe një person i tretë është arrestuar si i dyshuar për veprat penale ‘pastrim i parasë’ dhe ‘blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’.

Mjetet monetare të cilat i kanë vënë në qarkullim, dyshohet se i kanë marr nga i dyshuari B.N, 50 vjeçar.

“Hetimet dhe më pas kontrolli, janë kryer mbi dyshimet e bazuara se personat e dyshuar (A.N. mashkull,  1992 dhe E.N. femër, 1999) në bashkëveprim gjatë periudhës kohore nga dt. 27.02.2021 deri me dt. 11.03.2021, dyshohet se kanë vënë në qarkullim kartëmonedha me ngjyrë, me reagenca kimike (gjithsej 118 x 50) në vlerë të përgjithshme prej 5,900 euro (pesëmijë e nëntëqind euro)”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë, dy të dyshuarit, paratë dyshohet se i kanë vënë në qarkullim duke i deponuar në bankomatët e një banke dhe më pas i kanë tërhequr vlerat e njëjta të parave të cilat kanë qenë  të rregullta.

Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit të dyshuar, është arritur të gjenden edhe tri kartëmonedha nga 50 euro me ngjyrë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave e materiale.

“Gjatë intervistimit të dy të dyshuarve, është kuptuar se mjetet monetare të cilat i kanë vënë në qarkullim, i kanë marr nga i dyshuari  (B.N. mashkull, 1971) i cili po ashtu është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës”, thuhet tutje në njoftim.

Pas intervistimit ndaj të dyshuarit B.N, prokurori i rastit i ka shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, kurse ndaj dy të dyshuarve tjerë, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për kë rast, duke publikuar edhe të dhënat se të dyshuarit janë familjarë të kryetarit të degës së LDK-së në Drenas, Bedri Nika.

A. N. është djali i vëllait të Nikës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Bedri Nika ka mohuar arrestimin e të dy familjarëve të përfshirë në këtë rast.

Arrestohen dy familjarë të zyrtarit të LDK-së në Drenas