Arrestohen dy familjarë të zyrtarit të LDK-së në Drenas

KALLXO.com merr vesh se dy persona janë arrestuar nën dyshimin për futjen e parave me ngjyrë në një bankomat, e që të njëjtat janë tërhequr menjëherë.

Brenda një periudhe, A. N. dhe E. N. dyshohen se kanë deponuar rreth 5 mijë euro.

Prejardhja e këtyre parave nuk dihet ende.

Burime të KALLXO.com tregojnë se arrestimi i tyre është kryer sot në vendbanimin e tyre në Drenas.

Në shtëpinë e tyre, Policia ka hasur para me ngjyrë në shumë prej 150 euro.

KALLXO.com merr vesh se të dyshuarit janë familjarë të kryetarit të degës së LDK-së në Drenas, Bedri Nika.

A. N. është djali i vëllait të Nikës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Bedri Nika ka mohuar arrestimin e të dy familjarëve të përfshirë në këtë rast.

“Jo nuk janë arrestu, pyeti policinë”, tha shkurt për KALLXO.com

KALLXO.com është në pritje të një konfirmimi edhe nga ana e Policisë së Kosovës.