Policia gjobit policin për kundërvajtje, paralajmëron edhe procedura disiplinore

Policia e Kosovës në vazhdën e bashkëpunimit me qytetarë dhe media ka shqiptuar gjobë për kundërvajtje ndaj zyrtarit policor, i cili ka tejkaluar një kamionetë në vijë të plotë.

Ky tejkalim ka ndodhur te Kodra e Meqës në rajonin e Gjakovës më 9 qershor ndërsa gjoba është shqiptuar nga Policia më 14 qershor.

Në njoftim të policisë thuhet se përveç gjobave për kundërvajtje, iniciohen edhe procedura disiplinore.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në rritjen e sigurisë në trafik dhe natyrisht ndërmarrjen e masave ligjore ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me rregullat dhe procedurat ligjore, pa përjashtuar edhe zyrtarët policor, ku ndaj të cilëve përveç gjobave për kundërvajtje iniciohen edhe procedura disiplinore”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, respektimi i rregullave duhet të bëhet nga të gjithë dhe se gjobat do të shqiptohen pa dallim ndaj të gjithëve që nuk respektojnë rregullat e trafikut.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes nëse ndaj zyrtarit policor është ndërmarrë ndonjë procedurë disiplinore.