Policia detyrohet të gjuaj me armë në Suhodoll, shkak u bë sulmi ndaj tyre nga një i dyshuar 

Një person ka goditur me veturë një zyrtar policorë në fshatin Suhodoll të Mitrovicës. 

Zyrtari policor deri sa kishte kërkuar me sinjalizim të dyshuarit që të ndalonte, ai nuk iu bind urdhrit dhe goditi policin me veturë. 

E pas kësaj ngjarje zyrtarët kanë shtënë me armë zjarri ndaj veturës së dyshuar. 

Ngjarjen e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëvendësdrejtori i policisë, Veton Elshani. 

Ai tha se ngjarja u regjistrua rreth orës 12:40. 

“Përderisa policia kishte bërë disa përpjekje për të ndaluar një veturë të dyshuar, pra që dyshohej se kishte brenda lëndë narkotike, i dyshuari ka goditur me veturë policin që ishte në këmbë. Tutje i dyshuari ka goditur edhe veturën e policisë”- tha Elshani për KALLXO.com. 

Tutje ai shtoi se policia në përpjekje për tu larguar nga i njëjti sulm nga i dyshuari ka shtënë me armë zjarri. 

“Nuk ka ndonjë të lënduar”- tha tutje Elshani. 

Pas këtyre veprimeve i dyshuari sipas Elshanit ka lënë veturën e më pas është larguar në këmbë. Policia po vazhdon që të hetoj rastin ndërsa gjendet në vendin e ngjarjes.