FOTO - Gani Geci - FCB

Policia deklarohet rreth pretendimeve të Gani Gecit se dikush po planifikon ta vrasë

Mbrëmjen e së premtes, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci përmes një postimi në Facebook ka thënë se disa vrasës me pagesë nga Shqipëria kanë pranuar ofertë nga dikush në Kosovë që ta vrasin atë.

“Disa ditë më parë kam pranuar një informatë se vrasës me pagesë nga Shqipëria kanë marr ofertë nga dikush në Kosovë që ta vrasin Gani Gecin. Vrasësit me pagesë sipas informatave të para në Kosovë përdorin emra të rrejshëm, ndërsa në Shqipëri kanë emra të tjerë”, ka shkruar Geci në postimin e tij.

Ai tutje ka shkruar se gjithnjë sipas informatave të para personat për të cilët bëhet fjalë nuk janë krejt të panjohur në Kosovë por ata janë të njohur kryesisht në rrethin e Dukagjinit.

“Rasti është i paraqitur pranë organeve të hetuesisë në të gjitha nivelet që posedon Republika e Kosovës. Për shkak të hetimeve nuk po dua të ua përmendi emrat (pseudonimet) që këta kriminel përdorin në Kosovë”, ka shkruar Geci.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë përgjigje nëse pas postimit të Gecit, i njëjti është marrë në mbrojtje nga ana e Policisë së Kosovë.

“Policia e Kosovës të gjitha rastet i trajton bazuar në kodin penal dhe të procedurës penale dhe në bashkërendim me organet kompetente të drejtësisë ndërmerr veprime të nevojshme ligjore”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës rreth rastit të Gecit.

Geci tutje ka kërkuar nga dy prokuroritë, e dy shteteve Shqipërisë dhe Kosovës që të bashkëpunojnë mesvete dhe të ndalojnë njerëzit me precedent penale që lëvizin në Kosovë.

“Gjithashtu kërkoj edhe nga prokuroria e shtetit në Kosovë dhe prokuroria Speciale në Hagë që të intesifikojnë hetimet dhe këta dy persona dhe të tjerët në Kosovë që ndërlidhen me këtë rast të arrestohen dhe të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Geci.

Ai tutje ka thënë se të gjitha tentim vrasjet kundër Gani Gecit lidhen me komunikatën nr 59.

Gani Geci: Vrasës me pagesë nga Shqipëria kanë pranuar ofertë për të më vrarë