Policia arreston gjashtë persona dhe konfiskon substancë narkotike në vlerë mbi 200 mijë euro

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në dy raste të ndara, në Prizren dhe në Gjilan ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për shitblerje të narkotikëve.

Sipas një komunikate për media, dje më 05.06.2024 rreth orës 22:40 patrulla e autostradës në Prizren, drejtimi i Vërmicës ka ndaluar dy vetura.

Sipas policisë, gjatë kontrollit, personave me inicialet R.V, E.D, P.S, dhe D.t,  u janë gjetur substanca të ndryshme narkotike, me ç’rast të dyshuarit janë arrestuar në vendngjarje.

Ndërkaq Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, siç bënë të ditur policia, ka konfiskuar substancë narkotike e dyshuar për ekstazi, me peshë të përgjithshme 3 kg e 367 gramë, substancë narkotike e dyshuar për kokainë me peshë të përgjithshme 695,8 gramë, substancë narkotike e dyshuar e llojit Crack me peshë të përgjithshme 367,3 gramë, substancë narkotike LSD, 154 paketime, substancë narkotike Kanabis Sativa në formë çokolate me peshë 5,9 gramë, 138 qese plastike të zbrazëta, para  në vlerë 7788, 85 euro,  7 telefona mobil dhe dy vetura të markës VW-Golf.

“Vlera e kësaj substance narkotike sipas tregut dyshohet të jetë mbi 200 mijë euro. Në konsultim me prokurorin e shtetit është kryer bastisje në disa lokacione, ndërsa nga prokurori i shtetit është lëshuar vendim mbi ndalimin për 48 orë të katër personave të dyshuar”- thuhet tutje në komunikatën e policisë.

Ndërkaq, në Gjilan, dje (05.06.2024) rreth orës 14:30, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka arrestuar dy të dyshuar të tjerë  me inicialet A.S dhe B.D nën dyshimin për shitblerje të lëndëve narkotike.

Lidhur me këtë, sipas policisë, të dyshuarve u janë konfiskuar substancë narkotike e dyshuar për heroinë me peshë prej 537,8 gramë, në vlerë prej rreth 8 mijë euro, substancë narkotike të dyshuar si marihuanë me peshë prej 3, 36 gramë, dy telefona celularë dhe një veturë.

Pilicia tuje bënë të ditur se në koordinim me Prokurorinë Themelore është kryer bastisje në disa lokacione, kurse me vendim të prokurorit  kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.