Policia arrestoi një të dyshuar për grabitjen në qendër të Prishtinës

KALLXO.com raportoi sot një grabitje ka ndodhur në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet, saktësisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Grabitja e armatosur ka ndodhur në një institucion mikrofinanciar.

Rasti u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i PK-së për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për KALLXO.com se një person është arrestuar.

I dyshuari F.R. është 19-vjeçar.

“Menjëherë pas informatës të gjitha njësitë policore të rajonit të Prishtinës janë aktivizuar me shpejtësi dhe kanë nisur punën e tyre në drejtim të identifikimit të t dyshuarit, marrjes e përpunimit të informacioneve si  dhe kanë realizuar  një operacion të rrufeshëm për kapjen e të dyshuarit. Ndërmarrja e këtij operacioni të shpejtë si dhe veprimet operativo- hetimore tejet të sofistikuara kanë rezultuar me kapjen dhe arrestimin e personit të dyshuar në ikje e sipër vetëm pak minuta pas ngjarjes”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarit policor, i dyshuari me bazë të jetë  i implikuar në rastin e grabitjes në fjalë u krye në lagjen Dardania të Prishtinës përderisa i njëjti po përpiqej t’i shmangej ndjekjes së policisë.

“Ndërkohë që policia ka arrestuar të dyshuarin, pas kontrollit të ushtruar ka arritur të gjej dhe sekuestroj; Një revole të llojit dhe tipit të veçantë, Një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura. Aktualisht po vijon puna hetimore me qëllim ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit si dhe ndërlidhjen eventuale të këtij të dyshuari me raste të tjera kriminale”, tha zyrtari policor.