Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Polici jashtë detyrës nxjerr armën zyrtare për të ndalur përleshjen për parking në Prevallë

Një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile, ka nxjerrë armën zyrtare për të ndalur një përleshje mes disa personave, e cila kishte nisur për shkak të parkimit të veturës.

Rasti ka ndodhur dje në Prevallë.

Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, ka thënë për KALLXO.com se dje rreth orës 15:00 katër të dyshuar (familjarë mes vete) pas një fjalosjeje kanë filluar përleshjen me një person tjetër.

“Fjalosja ka filluar për shkak të parkimit të automjetit të cilin viktima e kishte parkuar para biznesit të tyre. Në atë kohë aty afër ka qëlluar një polic, jashtë detyre, në rroba civile, i cili ka ndërhyrë me komanda verbale për të ndërprerë sulmin. Pasi që me komanda verbale nuk ka arritur të ndalojë përleshjen, ai e ka nxjerrë revolen zyrtare duke e mbajtur në pozicion të sigurt dhe prapë ka vazhduar me komanda verbale” – tha ai.

Tutje Bytyqi ka sqaruar se përleshja është ndalur dhe polici jashtë detyre ka njoftuar Policinë përmes telefonit.

“Patrulla policore e Stacionit Policor të  Prizrenit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe është marrë me rastin. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar rasti është cilësuar – lëndim i lehtë trupor. Rasti po hetohet në procedurë të rregullt. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor” – ka thënë ai.