
Planifikohet hapja e minibibliotekave në gjashtë qytete të Kosovës
Organizata ETEA planifikon zgjerimin e themelimit të minibibliotekave edhe në gjashtë qendrat e mëdha të Kosovës.
Nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve të kësaj organizate, në kuadër të projektit “Minibiblotekat e lagjeve” gjatë vitit 2020 do të themelohen edhe minibiloteka në disa prej qyteteve më të mëdha në vend.
Drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti ka pohuar në një prononcim për KALLXO.com se organizata që ai drejtor planifikon zgjerimin e projektit ‘Minibibliotekat e lagjeve’ edhe në qytetet e mëdha të Kosovës. Sipas tij, kjo pritet të ndodh në viti që vjen.
“Planet tona janë që në 2020 projektin e minibiblotekave ta shtrijmë edhe në gjashtë qytetet e mëdha: Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitorvicë”, tha Ahmeti.
Deri më tani në kuadër të projektit në Prishtinë janë hapur 7 minibiblioteka dhe deri në fund të viti ETEA planifikon të hapë edhe 5 të tjera.
Këto minibibloteka themelohen në hapësirat publike dhe pas inaugurimit kalojnë në menaxhim të banorëve të lagjeve.
Qëllimi i këtij projekti është senzibilizimi i opnionit për rëndësinë e librit dhe për kulturën e leximit.
Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, në bashkëpunim me Librarinë Dukagjini, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.