Përfaqësuesit e OJQ-ve në takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Foto: Kuvendi i Kosovës
Peticioni për "shpëtimin e arsimit parauniversitar" i dorëzohet kryekuvendarit Konjufca
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar Rrjetin e Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP), i cili përbëhet nga 14 organizata të shoqërisë civile në vend.
Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar i kanë dorëzuar kryekuvendarit Konjufca peticionin e nënshkruar nga 10,000 qytetarë për të bërë reformë në Arsimin Parauniversitar – “Peticionin për shpëtimin e Arsimit”.
Peticioni për shpëtimin e Arsimit i ka bërë bashkë 14 OJQ në Kosovë që synojnë t’i realizojnë tri kërkesa, përmes së cilave mendohet të ndodhë reforma në Arsimin Parauniversitar.
“Në bazë të Ligjit për nisma legjislative, kryetari Konjufca pranoi në mënyrë solemne nismën legjislative të nënshkruar nga 10 mijë qytetarë, me propozimin për hartimin e projektligjit për pensionimin e vullnetshëm të parakohshëm të mësimdhënësve në arsimin parauniversitar, si dhe për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për arsimin parauniversitar, të dorëzuar nga përfaqësues të ROSCAP” – thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, më 25.09.2024.
Këto janë kërkesat nga Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar që kërkon nga Kuvendi i Kosovës t’i aprovojë, në kuadër të Peticionit për shpëtimin e Arsimit:
- Riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës: Numri i nxënësve po zvogëlohet çdo vit, me rreth 340 klasa që kanë më pak se 5 nxënës në mbarë vendin. Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete për mbylljen e të gjitha shkollave me më pak se 60 nxënës.
- Pensionimi vullnetar i parakohshëm për arsimtarët e moshës 55-64 vjeç: Aktualisht, mbi 25% e edukatorëve në Kosovë i përkasin kësaj moshe. Ofrimi i mundësisë për pension të parakohshëm është një masë e cila mundëson zvogëlimin e tepricës së arsimtarëve në Kosovë, kursimin e burimeve duke mos zëvendësuar pedagogët aty ku është e panevojshme, dhe hapjen e rrugës së një brezi të ri edukatorësh aty ku ka nevojë.
- Vlerësimi vjetor i aftësive dhe njohurive të mësimdhënies për të gjithë mësimdhënësit: Gjatë dekadës së fundit, vetëm 3% e mësimdhënësve u janë nënshtruar vlerësimeve formale të performancës. Me qëllim të mbështetjes e jo ndëshkimit të mësimëdhënësve, kjo pikë synon të kontribuojë në efektivitetin e procesit pedagogjik në tërësi.
Peticioni për shpëtimin e Arsimit ka filluar të nënshkruhet fillimisht nga qytetarët në kryeqytet, më 07.03.2024. Përveç në kryeqytet, me kohë peticioni është stacionuar edhe në sheshe të komunave tjera në Kosovë si: Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Podujevë, Lipjan, Prizren, Gjakovë e Skenderaj, për t’u nënshkruar nga qytetarët.
Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar përbëhet nga këto OJQ: Bonevet, Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim (TOKA), Organizata “ETEA”, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra për Studime te Avancuara – FIT, Teach for Kosova, ORCA Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Këshilli Rinor Kosovar (KYC), ‘LAPS’ (Lab of Activisim and Progressive Society), Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore – QHPSM, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.